Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale i janë drejtuar me një kërkesë të përbashkët Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, për sigurimin e financimit të qëndrueshëm për shërbimet sociale dhe themelimin e Grantit Specifik për Shërbimet Sociale, si prioritet në Buxhetin e vitit 2027.
Financimi i mbrojtjes sociale në Kosovë mbetet kryesisht i përqendruar në transfere monetare, ndërsa shërbimet sociale marrin vetëm 1.6% të shpenzimeve të sektorit. Në vitin 2024, nga rreth 854.6 milionë euro të shpenzuara për mbrojtje sociale, vetëm një pjesë e vogël u dedikua për shërbime profesionale dhe parandaluese.
Në vijën e parë të ofrimit të shërbimeve janë 38 Qendra për Punë Sociale dhe rreth 50 organizata të licencuara. Megjithatë, ato përballen me mungesë të burimeve njerëzore, financimit dhe kushteve të punës. Në komunat e mëdha, një zyrtar i QPS-së menaxhon rreth 350 lëndë aktive në vit, ndërsa në shumicën e komunave Organet e Kujdestarisë nuk janë të kompletuara me pesë profesionistët e kërkuar me ligj. Njëkohësisht, organizatat e licencuara rrezikojnë ndërprerjen e shërbimeve për shkak të mungesës së financimit të qëndrueshëm.
Për këtë arsye, kërkojmë krijimin e Grantit Specifik për Shërbimet Sociale, si mekanizëm për financim të qëndrueshëm, transparent dhe të bazuar në nevojat e komunave. Aktualisht për shërbimet sociale ndahen rreth 20 milionë euro në vit, ndërsa sipas analizave finaciare nevojiten edhe 16 milionë euro shtesë, për të siguruar financimin e përgjithshëm prej 36 milionë eurosh në vit, apo rreth 0.4% të buxhetit të Kosovës.
Lexoni letrën e plotë këtu.
Recent Comments