KOMF fillon konsultimet për rregullimin e kontraktimit të shërbimeve sociale

KOMF fillon konsultimet për rregullimin e kontraktimit të shërbimeve sociale

KOMF në partneritet me Zyren e UNICEF në Kosovë mbajti tryezën konsultuese: “Rregullimi i kontraktimit të shërbimeve sociale që ofrohen nga organizatat jo-qeveritare”.
Ligji për Shërbimet Sociale dhe Familjare ka hyrë në fuqi në Janar 2024. Miratimi i Ligjit të ri për Shërbimet Sociale dhe Familjare i ka hapur rrugën rregullimit të kontraktimit të shërbimeve sociale në Kosovë, përmes hartimit të Udhëzimit Administrativ për procedurën, kushtet dhe parimet e zbatimit të partneritetit publiko – privat në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. KOMF në partneritet me UNICEF do të mbështesin Ministrinë e Drejtësisë në hartimin e këtij udhëzimi administrativ.
Reth 50 organizata jo-qeveritare të licencuara ofrojnë shërbime sociale, sikurse, shërbime rezidenciale për fëmijët viktima të dhunës në familje, abuzimit dhe trafikimit, shërbime të specializuara për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara, shërbime në mbështetje të kujdesit alternativ për fëmijët pa kujdes prindëror, shërbime për fëmijët përdorues të substancave narkotike, fëmijët në situatë rruge, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, etj. Sfidë kryesore e ofruesve të shërbimeve sociale nga sektori joqeveritar mbetet financimi i paqëndrueshëm për ofrimin e shërbimeve sociale, si pasojë e mungesës së një skeme të qëndrueshme të kontraktimit për blerjen e shërbimeve sociale nga sektori joqeveritar.
KOMF mbajti këtë tryezë me qëllim konsultimin e ofruesve të shërbimeve sociale nga sektori jo-qeveritar, përfaqësuesve nga Qendrat për Punë Sociale, dhe komunat, të ofrojnë këndvështrimet rreth nevojave dhe modaliteteve për rregullimin e partneritetit publiko – privat, rregullimin e kontraktimit për t’i kontribuar procesit të hartimit të Udhëzimit Administrativ për procedurën, kushtet dhe parimet e zbatimit të partneritetit publiko – privat, në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare.