Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP dhe KMOP, kanë nënshkruar kontratë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për implementimin e projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, në kohëzgjatje prej 42 muaj dhe vlerë prej 480,963 Euro.
Kontrata është nënshkruar në kuadër të thirrjes për projekt propozime “Mbështetje për Partneritetet dhe Rrjetet e Organizatave të Shoqërisë Civile”, që ka për qëllim të mundësojë angazhimin qytetar dhe demokracinë pjesëmarrëse në Kosovë duke promovuar partneritetin, bashkëpunimin dhe dialogun midis qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike për përfshirje dhe pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrje.
Qëllimi i këtij projekti është kontribuimi drejt procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale në Kosovë.
Objektivat kryesore të projektit janë:
– Fuqizimi dhe rritja e kapaciteteve dhe rolit aktiv të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF drejt procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale;
– Avokimi drejt decentralizimit të shërbimeve sociale përmes kontributit për përmirësimin e kornizës ligjore dhe përmes monitorimit të legjislacionit dhe mobilizimit të institucioneve publike;
– Ngritja e vetëdijesimit përmes komunikimit me mediat mbi decentralizimin e shërbimeve sociale.
No Comments