KOMF ndan çmimet vjetore 2025

KOMF ndan çmimet vjetore 2025

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në bashkëpunim me Terre des hommes Kosovë ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe mirënjohjeve vjetore “Mik i Fëmijëve” për kontribuuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.
Paneli Vlerësues për nominimet Mik i Fëmijëve, i përbërë nga Blerta Perolli Shehu – Fakulteti i Edukimit, Universiteti i Prishtinës, Anita Çavdarbasha Korenica, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Natyra Agani nga Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës, ka vlerësuar dhe ndarë gjashtë Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2025”, për katër personalitete dhe subjekte të cilët përgjatë vitit 2025, kanë ofruar mbështetje e kontribut në mbrojtje e mirëqenie të fëmijëve të cenueshëm.
Mirënjohjet u ndanë si më poshtë:
  • Ambasada e Luksemburgut, nën udhëheqjen e Ambasadorit Eric Dietz, ka qenë forca shtytëse e një prej investimeve më transformuese në fushën e shëndetit të fëmijëve në Kosovë: Programit të Vizitave Shtëpiake për fëmijët 0–3 vjeç. Ky program ka arritur të shtrihet në 30 komuna, duke realizuar 25,776 vizita për fëmijët dhe familjet e tyre, duke forcuar kujdesin parësor shëndetësor përmes qasjes së hershme, parandaluese dhe të personalizuar për familjet më të cenueshme.
  • Familja strehuese Mihrije dhe Imer Ahmeti nga Komuna e Prishtinës merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2025, për strehimin dhe kujdesin e 10 fëmijëve pa kujdes prindëror të grupmoshave dhe nacionaliteteve të ndryshme, dhe fëmijë me aftësi të kufizuar. Kjo familje ka ndikuar fuqishëm në rehabilitimin emocional dhe social, forcimin e besimit të fëmijëve dhe zhvillimin e tyre të qëndrueshëm, duke u shërbyer atyre si një model i shëndoshë familjar në një fazë shumë të ndjeshme të jetës.
  • Banka Kombëtare Tregtare Kosovë (BKT Kosova) merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2025” për mbështetjen e fëmijëve pa kujdes prindëror dhe atyre në rrezik të humbjes së kujdesit. Punonjësit e bankës kanë dhuruar qindra orë të punës në vlerë monetare për 30 fëmijë në kujdes alternativ dhe mbi 600 fëmijë në programet e fuqizimit. Më tej, banka ka siguruar rritjen e mbështetjes financiare të punonjësve me dyfishim nga banka, duke e kthyer kontributin në një model të angazhimit të dyfishtë, që rrit ndikimin real dhe të qëndrueshëm te fëmijët.
  • Donatorët e diasporës: Irfan Perçuku, Bali Baliu, Arbren Grajqevci, Kenan Dema, Naser Dervishaj, Fitim Merovci, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe jetik për fëmijët me autizëm nga familje me status të rënduar social në Kosovë. Gjatë viteve 2023–2025, ata kanë siguruar një mbështetje financiare dedikuar drejtpërdrejt për mbulimin e shërbimeve terapeutike individuale për fëmijët përfitues.

Paneli Vlerësues për shkrimet gazetareske, i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Luljetë Prekazi – psikologe dhe Imer Mushkolaj– gazetar, ka përzgjedhur katër gazetarë për tu vlerësuar me çmimin vjetor 2025 në fushën e gazetarisë, si më poshtë:
  • Besian Beha, Nacionale, për video reportazhin “Një shqelm kundër racizmit”, i cili pati në qendër pjesëtarin e komunitetit ashkali, futbollistin 15‑vjeçar nga Fushë Kosova, Belgin Jashari. Ishte pikërisht reportazhi i gazetarit Besian Beha ai që e theu heshtjen, duke nxitur një zinxhir reagimesh nga institucionet dhe shoqëria civile. Reportazhi nxiti reagime nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.
  • Albijona Hoxhaj, Betimi për Drejtësi, për dokumentarin hulumtues “Adoleshentë të armatosur shfaqen pa frikë online”, i i cili shpalosi anën e errët të rreziqeve digjitale me të cilat përballen fëmijët në Kosovë. Ky dokumentar hulumtues, trajton ekspozimin e armëve dhe glorifikimin e dhunës në grupe në rrjetin social “Snapchat”, të njohura si “shared stories”. Si rezultat i hulumtimit dhe presionit publik, u mbyllën disa prej grupeve dhe u identifikuan shumë të tjera, që poashtu u shënjestruan nga institucionet e rendit dhe të sigurisë.
  • Herolind Ademi, Klan Kosova, për storien “Çka po ndodh në shkolla?”, lidhur me praninë e drogës në shkollat e Kosovës, ku ka zbuluar pjesë të rënda të realitetit me të cilin përballen fëmijët tanë. Përmes kësaj storie, ai ka shpërfaqur rreziqet serioze që u kanosen nxënësve nga substancat narkotike që shiten kaq aur në amientet publike.
  • Faton Polisi, Grupi Koha me tregimin “Sara, futbollistja që frymëzon”, tregim i cili sjell në qendër të vëmendjes historinë frymëzuese të 15‑vjeçares Sara Bulliqi, e cila nuk e ka një pjesë të krahut të djathtë, por nuk ka lejuar që kjo ta ndalë në rrugën drejt ëndrrës së saj për t’u bërë futbolliste.