KOMF ndan mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve”, me fokus në të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve

KOMF ndan mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve”, me fokus në të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve

22 Dhjetor 2020

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ndan mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve”, në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë, për vitin 2020.

KOMF këtë vit ndan tre mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve” 2020, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt shërbimeve sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve. Për shkak të pandemisë Covid-19 dhe në përputhje me rekomandimet e institucioneve relevante, KOMF po i publikon këto çmime online.

Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”, u ndanë si më poshtë:

  • Avokuesi për të drejtat e fëmijëve Rijad Mehmeti, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”. Riadi, zëri i fëmijëve më aftësi të kufizuara, arriti të flas fuqishëm për nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara drejt instancave më të larta në Kosovë e deri në Parlamentin Europian.
  • Familja strehuese nga Ferizaj Ymrije dhe Halil Selmanaj, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020”, e cila ka strehuar fëmijë të braktisur, keqtrajtuar e të lënë pas dore dhe fëmijë në nevojë për plot 16 vite. Deri më tani kjo familje ka strehuar 16 fëmijë dhe aktualisht ka 3 fëmijë të strehuar. Kjo familje mban derën hapur për të gjithë fëmijët pa dallim gjinie, moshe, nacionaliteti dhe sidomos në fokus për strehim i ka fëmijët me aftësi të kufizuara.
  • Dr. MSc. Burim Buzhala, merr Mirënjohjen Vjetore “Mik i Fëmijëve 2020” në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje ndaj iniciativës sensibilizuese të ndërmarrë nga Doktor Buzhala, me punësimin e vajzës me Sindromën Doën, Eloida Alija, si asistente në klinikën e tij dentare. Puna në klinikë ka ndikuar shumë pozitivisht te Eloida, duke e bërë të ndihet krenare e të ketë më shumë vetëbesim. Mesazhi i Doktorit për gjithëpërfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjithë fëmijëve, duhet të shkojë tek familja, institucionet dhe gjithë shoqëria. Sipas tij, me pak vullnet mund të bëjmë shumë!

Vlerësimi i nominimeve për mirënjohjet “Mik i Fëmijëve” është realizuar nga paneli i përbërë nga:

  • Igballe Rrahmani – Institucioni i Avokatit të Popullit
  • Blerta Perolli Shehu – Universiteti i Prishtinës
  • Zana Zeqiri – SHFMU “Meto Bajraktari”

KOMF falenderon të gjithë fituesit, individët, bizneset e korporatat, të cilët vazhdimisht dhe në mënyrë të pakursyer dëshmojnë vullnet dhe angazhim në mbështetje të komunitetit e mbi të gjitha të fëmijëve, drejt misionit fisnik të mbrojtjes së të drejtave të tyre.

Ndarja e mirënjohjeve vjetore në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë për vitin 2020, u mundësua në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP dhe KMOP, dhe në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosove dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF.

No Comments

Leave a Reply