Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Terre des hommes në Kosovë, Down Syndrome Kosova, Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, Zë – Qendra Logopedike për Trajtim dhe Hulumtim, si dhe Handikos Ferizaj, organizuan aktivitetin simbolik dhe ndërgjegjësues “Letra nga fëmijët e Kosovës”.

Përmes këtij aktiviteti, fëmijëve iu krijua hapësira për të shprehur lirshëm mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre, duke e vendosur zërin e tyre në qendër të diskutimit publik. Në letrat e tyre, fëmijët ndanë shqetësimet, ëndrrat, pritshmëritë dhe kërkesat e tyre, duke iu drejtuar drejtpërdrejt institucioneve dhe vendimmarrësve me mesazhe të sinqerta për të drejtat, mbrojtjen, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre.
Çdo letër përfaqësonte një zë unik dhe një kujtesë se fëmijët kanë të drejtë të dëgjohen dhe të përfshihen në vendimmarrjet që ndikojnë në jetën e tyre. Përmes mesazheve të tyre, ata kërkuan më shumë siguri, arsim cilësor, shërbime më të mira, mbështetje për fëmijët në nevojë, hapësira të sigurta për zhvillim dhe një shoqëri që i dëgjon, i respekton dhe i mbron.

Më 1 Qershor, këto letra u vendosën simbolikisht në hyrjet e institucioneve kyçe, përfshirë Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, Komunën e Prishtinës, Qendrat e Mjekësisë Familjare, Radio Televizionin e Kosovës dhe institucione të tjera publike. Ky veprim simbolik synoi t’u kujtojë institucioneve përgjegjësinë e tyre për të dëgjuar zërin e fëmijëve dhe për ta reflektuar atë në politikat, programet dhe vendimet që ndikojnë në jetën e tyre.
Aktiviteti promovoi të drejtën e fëmijëve për pjesëmarrje, si një nga parimet themelore të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, duke theksuar se fëmijët nuk janë vetëm përfitues të politikave publike, por qytetarë me mendime, përvoja dhe ide që meritojnë të merren seriozisht.

Kjo iniciativë e KOMF u realizua në kuadër të ndërhyrjes nacionale “MEGAFON – Fuqizimi i zërit të fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë”, mbështetur nga projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).





Recent Comments