“Në dorën tane!” Fuqizimi i shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë

“Në dorën tane!” Fuqizimi i shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë

KOMF lansoi fushatën vetëdijesuese “Në dorën tane!”dedikuar rëndësisë dhe nevojës për shërbime sociale, për fëmijët dhe familjet në nevojë.

“Në dorën tane” është thirrje për veprim dhe përgjegjësi për institucionet, familjen dhe shoqërinë, përmes mesazheve , të dhënave dhe fakteve për fëmijët e cenueshëm dhe rreziqet e ndryshme që ju ndodhin atyre në lagjet e komunitetet tona.

Ideuar dhe zhvilluar me qëllim mbrojtjen dhe rëndësinë e ofrimit të shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet e cenuara, video vetëdijesuese dhe instalacioni i prezantuar në kuadër të fushatës “Në dorën tane!” flasin për çdo fëmijë.

Jemi të lumtur që sot, si dhe çdo herë tjetër, kishim praninë e anëtarëve, miqve dhe partnerëve tanë të çmuar. Mbështetja e tyre na mundëson që të mobilizojmë vendimmarrësit dhe përgjegjësit kryesor, duke punuar së bashku për të krijuar një të ardhme më të ndritshme dhe më premtuese për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Në kuadër të fushatës, KOMF në ditët në vijim do të përçojë mesazhe, të dhëna dhe rekomandime për fuqizimin e shërbimeve sociale përmes rrjeteve sociale, televizionit dhe takimeve me qëllim vetëdijesues.

Më shumë se fushatë, “Në dorën tane!” është qëllim që na bashkon të gjithëve! Sepse, është në dorën tonë të sigurojmë mirëqenie!

Kjo fushatë mundësohet në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekti financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga European Union in Kosovo, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, dhe programit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.