12 Prill 2021
Donjeta Kelmendi dhe Ibadete Krasniqi nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF u takuan sot me Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe shefin e kabinetit të Ministrisë, z. Genc Nimoni.
Gjatë këtij takimi diskutuan rreth avancimit të mbrojtjes së fëmijëve në kuadër të draft Kodit Civil, me fokus çështjet që ndërlidhen me të drejtat e fëmijëve, afatet në procedurat e adoptimit, strehimin familjar-rezidencial si dhe fuqizimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve viktima.
Përfaqësueset e KOMF shprehën shqetësimin mbi neglizhencën institucionale në trajtimin e rasteve të viktimave nga abuzimi seksual, në veçanti neglizhencën e prokurorisë në trajtim të rasteve të kësaj natyre. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë theksuan se do të punojnë në rritje të llogaridhënies në mënyrë që rastet e tilla të trajtohen me urgjencë.
Gjithashtu përfaqësueset e KOMF shtruan nevojën e monitorimit të Qendrës Korrektuese në Lipjan me qëllim të njoftimit lidhur me ofrimin e kushteve për të miturit në këtë qendër. Lidhur me këtë, Ministrja Haxhiu shprehi nevojën urgjente për koordinim institucional si dhe ofroi bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë për monitorimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
No Comments