𝐒𝐡𝐞̈𝐧𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝟏𝟔 𝐝𝐢𝐭𝐞̈𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐚𝐤𝐭𝐢𝐯𝐢𝐳𝐦𝐢𝐭 𝐤𝐮𝐧𝐝𝐞̈𝐫 𝐝𝐡𝐮𝐧𝐞̈𝐬 𝐦𝐞 𝐛𝐚𝐳𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐧𝐨𝐫𝐞 – “Dhuna ndaj vajzave – Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”
KOMF, në bashkëpunim me Unicef Kosovo Programme dhe UN Women Kosovo mbajtën tryezën e rrumbullakët me temë “Dhuna ndaj vajzave – Drejt parandalimit dhe reagimit efektiv”, që u organizua në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Qëllimi i tryezës ishte diskutimi mbi situatën aktuale të dhunës ndaj vajzave në Kosovë, identifikimi i mundësive dhe iniciativave të përbashkëta për përmirësimin e situatës. Poashtu, kjo tryezë pati për qëllim të përçoj thirrjen për zhvillim të hulumtimeve, avancim të politikave dhe programeve me fokus në parandalimin dhe reagimin ndaj formave të dhunës.
Paneli i përbërë nga Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë, Donjeta Kelmendi – KOMF, Nona Zicherman – UNICEF Kosovë, Dr. Bergita Curri – Specialiste e Mjekësisë Ligjore hapën diskutimin duke ndarë të dhëna mbi dhunën ndaj vajzave në Kosovë dhe duke bërë thirrje për përmirësim të situatës.
Në panelin e dytë morën pjesë profesionistë që punojnë në mbrojtjen e fëmijës, si Adile Shaqiri Basha – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Azize Sekiraqa – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Valbona Çitaku – Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve-Kosovë, Kapiten Melihate Sefedini – Policia e Kosovës dhe Valdet Plakolli – Psikolog shkollor. Paneli i profesionistëve diskutuan mbi gjendjen aktuale sa i përket dhunës me baze gjinore dhe ofruan rekomandimet për parandalimin dhe adresimin e kësaj çështje.
Ndër rekomandimet kryesore që u adresuan nga KOMF ishin:
– Krijimin e programeve për parandalimin e dhunës dhe fuqizimin e sistemit parandalues dhe referues në shkolla;
– Inspektimin e trajtimit të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, gjatë tre viteve të fundit;
– Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Evropiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;
– Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;
– Ofrimin urgjent të trajtimit dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët, viktima të ngacmimit apo abuzimit seksual;
– Përgjegjësi dhe llogaridhënie nga profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në rast dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve;
No Comments