Cili është rezultati i përgjithshëm i shtetit të Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve për vitin 2022?
KOMF bashkë me organizatat anëtare, ka filluar procesin e monitorimit të gjendjes së fëmijëve dhe zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, përmes instrumentit të njohur ndërkombëtar “Karta e Vlerësimit”. Ky do të jetë edicioni i parë i raportit vjetor të monitorimit të KOMF “Karta e vlerësimit”.
Qëllimi kryesor i KOMF për këtë raport është realizimi i monitorimit të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Karta e Vlerësimit do të ofrojë të dhënat për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin e politikave dhe praktikave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Në bazë të metodologjisë, Karta e Vlerësimit ka një bashkë-autorësi prej shumë profesionistëve të fushave të ndryshme të të drejtave të fëmijëve nga organizatat anëtare të KOMF.
Fushat të cilat do të monitorohen dhe do të vlerësohet progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tyre janë: Pjesëmarrja e fëmijëve; Mbrojtja e fëmijës; Edukimi dhe arsimi; Shëndeti i fëmijës; Mbrojtja e fëmijës nga dhuna dhe Drejtësia për të mitur.
Ndërsa nënfushat do të përfshijnë: Varfëria e fëmijëve dhe përfshirja; Masat për fuqizimin e familjes dhe aftësim prindëror; Format e mbrojtjes për fëmijët pa kujdes prindëror; Fëmijët e përfshirë në punë të rënda dhe trafikimi; Dhuna në familje; Dhuna në shkolla dhe komunitet; Vdekshmëria e foshnjave; Imunizimi dhe gjidhënia; Kujdesi spitalor për fëmijët; Fondi për trajtimin e fëmijëve jashtë vendit; Përdorimi i substancave narkotike nga fëmijët; Kujdesi për fëmijët në periudhën para dhe pas lindjes; Programet për mbështetjen e prindërimit dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit; Edukimi në fëmijërinë e hershme; Intervenimi në fëmijërinë e hershme; Arsimi gjithëpërfshirës; Edukimi shëndetësor dhe edukimi seksual; Fëmijët në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale; Fëmijët në konflikt me ligjin, të drejtat, programet dhe shërbimet për ta.
Duke synuar një vlerësim edhe më transparent dhe të paanshëm, është kërkuar mbështetje nga ministritë, agjencitë dhe komunat në mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve mbi progresin e arritur dhe sfidat në fushat dhe nënfushat për vitin 2022.
Ky proces monitorimi do të përmbajë jo vetëm mendimet e institucioneve, organizatave jo qeveritare, ekspertëve dhe specialistëve, por edhe mendimin e fëmijëve dhe të rinjve. Opinionet e fëmijëve dhe përvojat e tyre personale në fushën e shërbimeve sociale, shëndetësisë, arsimit, drejtësisë për të mitur do të përfshihen duke marrë pjesë në sondazhin “Karta e Vlerësimit: Si e vlerësojnë kujdesin dhe shërbimet fëmijët”?
Ky raport monitorimi do t’u shërbejë Qeverisë, Ministrive, Kuvendit, Komunave, profesionistëve, ofruesëve të shërbimeve, institucioneve, sektorit joqeveritar, prindërve dhe publikut të gjerë.
Ky proces monitorimi mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, dhe mbështetet nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID Kosovë.
Recent Comments