KOMF certifikon 17 trajnerë nga organizatat anëtare për promovimin e pjesëmarrjes së fëmijëve

KOMF certifikon 17 trajnerë nga organizatat anëtare për promovimin e pjesëmarrjes së fëmijëve

KOMF, me mbështetjen e Terre des hommes – Kosovo dhe në kuadër të Programit për Ngritje të Kapaciteteve për organizatat anëtare, organizoi trajnimin treditor për trajnerë mbi “Pjesëmarrjen dhe Përfshirjen e Fëmijëve”. Gjatë këtij trajnimi, 17 profesionistë nga organizatat anëtare të KOMF u certifikuan si trajnerë për këtë modul.

Trajnimi u udhëhoq nga Albulena Shabani dhe kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve për promovimin e pjesëmarrjes kuptimplotë të fëmijëve në proceset e vendimmarrjes dhe në jetën shoqërore, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe parimet e të drejtave të fëmijëve.

Përmes sesioneve interaktive, diskutimeve në grup dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit thelluan njohuritë mbi kornizën ligjore dhe standardet që garantojnë të drejtën e fëmijëve për pjesëmarrje, si dhe zhvilluan aftësi praktike për krijimin e proceseve dhe aktiviteteve gjithëpërfshirëse që sigurojnë dëgjimin dhe përfshirjen e fëmijëve në mënyrë të sigurt, të barabartë dhe domethënëse.

Trajnimi trajtoi gjithashtu sfidat dhe barrierat që pengojnë pjesëmarrjen aktive të fëmijëve, duke ofruar qasje dhe metoda praktike për tejkalimin e tyre. Përmes këtij procesi, pjesëmarrësit u pajisën me mjete konkrete për të zhvilluar trajnime dhe për të mbështetur organizatat e tyre në integrimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në politikat, programet dhe aktivitetet e përditshme.

Ky trajnim është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të KOMF për të investuar në zhvillimin profesional të organizatave anëtare dhe për të fuqizuar praktikat që vendosin fëmijët në qendër të proceseve të vendimmarrjes.