Grupi Tematik për Arsim dhe Rini me nismën “KOMF udhëton në shkolla”

Grupi Tematik për Arsim dhe Rini me nismën “KOMF udhëton në shkolla”

KOMF mbajti takimin e Grupit Tematik për Arsim dhe Rini në ambientet e Qendrës Ditore për fëmijët në situatë rruge dhe punë të rënda të Terre des hommes në Prishtinë.
Qëllimi i takimit ishte përcaktimi mbi çështjet kryesore për adresim në fushën e arsimit, me fokus mbrojtjen e fëmijëve në shkolla dhe gjithëpërfshirjen. Në takim u bë përditësimi lidhur me zbatimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucionet arsimore dhe hapat në vijim, proces ky i mbështetur nga Terre des hommes, ku deri ne fund të vitit pritet të trajnohen deri në 6000 mësimdhënës për zbatimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Organizatat anëtare planifikuan iniciativën “KOMF udhëton në shkolla”, ku do të realizojnë diskutime dhe monitorime në shkolla (sesione me nxënës, mësimdhënës dhe prindër).
Një pikë tjetër e rëndësishme ishte ofrimi i kontributit në procesin e plotësim-ndryshimit të Udhëzimit Administrativ mbi Themelimin dhe Funksionimin e Qendrave Mësimore, me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së këtyre qendrave.
Ndërsa së shpejti pritet themelimi i Programit MEGAFON në kuadër të KOMF për aktivizmin e fëmijëve dhe të rinjve.
Anëtarët poashtu patën mundësinë të shohim nga afër punën dhe shërbimet që ofrohen në Qendrën Ditore për fëmijët në situatë rruge dhe punë të rënda.