Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë draft Udhëzuesin për Parandalimin e Covid-19 në Shërbime Sociale.
KOMF ka punuar në hartimin e këtij udhëzuesi bashkë me organizatat anëtare ofruese të shërbimeve sociale, për tu ardhur në ndihmë atyre organizatave që punojnë dhe kanë kontakt të drejtpërdrejtë me fëmijë, gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Qëllimi i Udhëzuesit për Parandalimin e Covid-19 në Shërbime Sociale është dhënia e udhëzimeve ndaj ofruesve të shërbimeve sociale ditore dhe rezidenciale për të minimizuar përhapjen e Covid-19 në këto mjedise, me synimin për të ruajtur fëmijët por edhe stafin profesional ofrues të shërbimeve direkte.
Hartimi i këtij udhëzuesi ka lindur si nevojë duke qenë se udhëzuesit aktual të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë në përmbajtje rekomandime apo udhëzime specifike për ofrim të shërbimeve sociale direkte në pandemi në qendrat e kujdesit ditor, strehimoret dhe shtëpitë me bazë në komunitet.
Pas aprovimit të udhëzuesit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Departamenti për Politika Sociale dhe të Familjes, ai i është dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë, për procedim të mëtejshëm, shqyrtimin e udhëzuesit dhe miratimin e tij.
Miratimi i një udhëzuesi të veçantë me udhëzime për shërbimet sociale do të ndikojë në parandalimin e përhapjes së Covid-19 në këto mjedise, do të mbrojë fëmijët dhe familjet përfituese të shërbimeve si dhe do mbështesë shumë punën e ofruesve të shërbimeve sociale.
No Comments