Përmes një kërkese drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministrit të Financave Hekuran Murati, KOMF ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, krijimin e Masës së përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, si një masë tranzitore deri në rregullimin e financimit të qëndrueshëm për shërbime sociale.
Ministria e Drejtësisë, në 2024 ka ndarë 1.5 milionë Euro për subvencionimin e shërbimeve të 40 organizatave jo qeveritare të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale. Megjithatë, ky fond nuk është i mjaftueshëm për të funksionalizuar ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre.
Ofruesit e shërbimeve sociale në vitin 2024, janë në gjendjen më të rëndë sa i përket financimit të shërbimeve sociale krahasuar me vitet e fundit. Kjo për arsyen, që në Dhjetor 2023, për pjesën dërrmuese, kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke lënë zbrazëtira të mëdha në financimin e shërbimeve sociale.
Duke patur parasysh që pjesa dërrmuese e ofruesve nga sektori jo qeveritar që ofrojnë shërbime sociale janë financuar në masën më të madhe nga donatorët ndërkombëtarë, të cilët prej disa muajsh kanë mbyllur programet, situata aktuale është në prag të kolapsit. Konkretisht, sipas të dhënave të organizatave anëtare të KOMF, mbështetja aktuale nga Ministria e Drejtësisë, mesatarisht mbulon me rreth 66% shërbimet rezidenciale dhe me rreth 21% shërbimet sociale ditore.
Në anën tjetër, përkundër decentralizimit të shërbimeve sociale, akoma nuk është rregulluar mekanizmi i financimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale. Komunat në përgjithësi nuk ndajnë buxhet për ofrimin e shërbimeve sociale, me përjashtim të një numri shumë të vogël të tyre.
Në këto rrethana, pavarësisht mbështetjes nga Ministria e Drejtësisë dhe vullnetit të ofruesve të shërbimeve sociale, është e pamundur për të vazhduar ofrimin e shërbimeve me kapacitet të plotë për grupet më të cenuara të fëmijëve dhe familjet e tyre.
Kjo situatë mund të çojë në mbyllje të shërbimeve, apo reduktim masiv të përfituesve, që ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre. Nisur nga kjo, KOMF ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave të rrisin mbështetjen në ofrimin e shërbimeve sociale për grupet e cenuara përmes krijimit të një Mase të përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Mohimi për t’i siguruar fëmijës mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm për mirëqenien, integrimin dhe zhvillimin e plotë të tij, përbën shkelje të parimeve bazë të Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Recent Comments