KOMF mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe Mirënjohjeve vjetore “Mik i Fëmijëve”

KOMF mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe Mirënjohjeve vjetore “Mik i Fëmijëve”

KOMF, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe Mirënjohjeve vjetore “Mik I Fëmijëve” për kontribuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.

KOMF këtë vit ndau tre çmime vjetore në fushën e gazetarisë në mbrojtje të fëmijëve dhe pesë mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve”, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt shërbimeve sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve. Paneli Vlerësues për shkrimet gazetareske, i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Luljetë Prekazi – psikologe dhe Imer Mushkolaj– gazetar, ka përzgjedhur tre gazetarë për tu vlerësuar me çmimin vjetor 2022 në fushën e gazetarisë, si më poshtë:

Dafina Halili, nga KOSOVO 2.0, për hulumtimin “Shkolla fantazmë, shkolla geto e ndërrime të segreguara” fiton Çmimin Vjetor 2022.

Donjeta Murselaj, nga Klan Kosova, KIKS Kosova, për reportazhin i cili trajton rastin e Florentit, të cilit i mohohet e drejta e regjistrimit në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë vetëm pse është në karrocë, fiton Çmimin Vjetor 2022.

Saranda Ramaj nga Koha.net, për shkrimet me 17 vazhdime, që shpalojnë keqpërdorimet e shumta me mjetet e shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë, fiton Çmimin Vjetor 2022.

Ndërkohë që Paneli Vlerësues për nominimet Mik i Fëmijëve, i përbërë nga Blerta Perolli Shehu nga Universiteti I Prishtinës, Anita Çavdarbasha – Zëvendëse e Avokatit të Popullit nga Institucioni I Avokatit të Popullit dhe Adelinë Sahiti– Drejtoreshë e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale nga Komuna e Prishtinës, ka vlerësuar dhe ndarë pesë Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për pesë personalitete të cilët përgjatë 2022, kanë ofruar mbështetje e kontribut në mbrojtje e mirëqenie të fëmijëve të cenueshëm.

Mirënjohjet u ndanë si më poshtë:

Burim Piraj merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, është një sipërmarrës i suksesshëm i cili drejton kompaninë MEKA HALAL FOOD në Dragash, për mbështetjen e vazhdueshme të iniciativës “Team Rijad”.

Familja strehuese Mejreme dhe Avdullah Kadriu nga Komuna e Vitisë, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për strehimin e 30 fëmijëve pa kujdes prindëror. Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP

Luan Sallahi, afarist, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për kontributin e vazhdueshëm që ka ofruar për fëmijët me aftësi të kufizuara të cilët marrin shërbime ditore pranë organizatës Qendra e Kujdesit Ditor – PEMA.

Shpresa Xhakli, filantrope, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për avokimin, kontributin dhe mbështetjen e shërbimeve për fëmijët me autizëm, që marrin shërbime në Shoqata “Autizmi” – Prishtinë.

Atije Idrizaj, pronare dhe drejtuese e AMECC Rezonanca, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për mbështetjen afatgjatë për tre vajza pa përkujdes prindëror të cilat marrin shërbime në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.

KOMF falenderon të gjithë fituesit, gazetarët dhe Miqtë e Fëmijëve, individët, korporatat, partnerët dhe bashkëpunëtorët, të cilët vazhdimisht dhe në mënyrë të pakursyer dëshmojnë vullnet dhe angazhim në mbështetje të komunitetit e mbi të gjitha të fëmijëve, drejt misionit të përbashkët fisnik të mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre.

Kjo ngjarje u mundësua përmes projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga European Union in Kosovo dhe implementuar nga KOMF, në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, si dhe programit të KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

No Comments

Leave a Reply