KOMF me anëtarët e Bordit nga Terre des hommes – Kosovo dhe Down Syndrome Kosova, morën pjesë në takimin konsultues me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, lidhur me riorganizimin dhe reformën e mbrojtjes dhe shërbimeve sociale në Kosovë.
Ministri Murati njoftoi KOMF se vitin e ardhshëm, shërbimet sociale do të kalojnë në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që politikat sociale do të vazhdojnë të mbeten në Ministrinë e Financave. Lidhur me këtë, KOMF shprehu shqetësim për ndarjen e politikave dhe shërbimeve sociale duke paraqitur brengat për fragmentarizmin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes sociale, rënien e cilësisë së ofrimit të shërbimeve dhe uljen e llogaridhënies. KOMF theksoi se gjatë viteve të fundit e gjithë puna është orientuar drejt krijimit dhe fuqizimit të sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijëve. KOMF beson se sistemi i mbrojtjes së fëmijëve është më i fuqizuar kur politikat sociale, cash transferet dhe shërbimet sociale, janë të integruara.
Ministri Murati informoi KOMF se deri ne fund të këtij viti zotohet të procedojë drejt qeverisë Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare si dhe Projektligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Në anën tjetër, Ministrja Haxhiu informoi KOMF se prej fillimit të vitit të ardhshëm do të themelohet një grup punues i cili do të zhvillojë një analizë të detajuar për situatën e shërbimeve sociale, analizë që do të shërbejë më pas për konceptimin dhe zhvillimin e reformës në fushën e mbrojtjes sociale. Ajo informoi se KOMF do të jetë ndër palët kyçe të përfshira në këtë procesi i cili do të zhvillohet në koordinim edhe me grupet e interesit.
No Comments