KOMF ndan çmimet vjetore në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale

KOMF ndan çmimet vjetore në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale

23 Dhjetor 2019

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetari dhe mirënjohjet “Mik i Fëmijëve” në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Hapja e ceremonisë u bë nga Donjeta Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF, e cila tha që fokusi i Koalicionit për vitin 2020 do të jetë mobilizimi rreth zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku edhe kërkoj nga gazetarët përkrahjen e tyre për vetëdijesim rreth zbatimit të Ligjit.

Në fjalën e hapjes Hillen Francke, Zëvendës Drejtoreshë e Sektorit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë / Përfaqësues i Posaçëm i BE-së tha se familja, shkolla dhe mësuesit luajnë rolin kryesor për zbatimin e të drejtave të fëmijëve, megjithatë qeveria është përgjegjësi kryesor për implementimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Vlerësimi i shkrimeve/punimeve të gazetarisë, është bërë nga paneli i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Eglantina Kraja Bardhi – Doktor i shkencave të psikologjisë në kolegjin “UBT” dhe Imer Mushkolaj – gazetar. Prezantimi i vlerësimit për çmimet për gazetarë u bë nga kryesuesja e panelit vlerësues Evliana Berani, e cila prezantoi gjashtë gazetarët e vlerësuar me çmimin vjetor 2019 dhe bëri një përmbledhje të këtyre punimeve.

Ҫmimet vjetore 2019 në fushën e gazetarisë u ndanë si më poshtë:

  • Gazetarja Adelina Ahmeti nga BIRN/Kallxo.com me setin prej tre punimesh: “Takimi i mësuesit me fëmijët Kosovarë të kthyer nga Siria dhe Iraku”, “Sfidat e deradikalizimit me fëmijë” dhe “Sfidat e integrimit në arsim për fëmijët e kthyer nga Siria”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2019, çmim të cilin e ndau Hillen Francke, Zëvendës Drejtoreshë e Sektorit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë / Përfaqësues i Posaçëm i BE-së.
  • Gazetarja Ardita Rashiti nga T7 me temën “Humbin vitin, përjashtohen nga shkolla 58 nxënës”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2019, çmim të cilin e ndau Hilmi Jashari, Avokati i Popullit.
  • Gazetari Besnik Krasniqi nga Koha Ditore me temën “Rikthim në kasolle”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2019, çmim të cilin e ndau Muhamet Arifi, Drejtor Ekzekutiv në Balkan Sunfloëers Kosovë.
  • Gazetarja Blerta Ahmeti nga Klan Kosova me temën “Pedofilia, Kosova pa dosje”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2019, çmim të cilin e ndau Valbona Citaku, Drejtoreshë Ekzekutive në Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijë.
  • Gazetarja Kaltrina Rexhepi nga RTK me temën “E drejta e kufizuar”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2019, çmim të cilin e ndau Afrim Maliqi, Drejtor Ekzekutiv në HANDIKOS.
  • Gazetarja Leonida Molliqaj me temën “Gjuetarët e mbeturinave; Grumbulluesit e shfrytëzuar të skrapit në Kosovë”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2019, çmim të cilin e ndau Florina Duli, Drejtoreshë për Kosovë në Terre des hommes.

KOMF ndau edhe mirënjohjet me titull “Mik i Fëmijëve”, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt mbrojtjes dhe shërbimeve sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Vlerësimi i nominimeve për mirënjohjet “Mik i Fëmijëve” është bërë nga paneli i përbërë nga Igballe Rrahmani – Institucioni i Avokatit të Popullit, Dren Rexha – Specialist i Mbrojtjes Sociale dhe Taulant Hoxha – Drejtor Ekzekutiv në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.

Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2019”, u ndanë si më poshtë:

  • Kompania Meridian Express, mori Mirënjohjen “Mik i Fëmijëve 2019”, të cilin e ndau Vlorian Molliqaj, Drejtor Ekzekutiv në Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.
  • Familja strehuese nga Gjakova Bore dhe Zef Dedaj, mori Mirënjohjen “Mik i Fëmijëve 2019”, titull të cilin e ndau Ibadete Krasniqi, Drejtoreshë Ekzekutive në Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror.
  • Klubi i Prodhuesve të Kosovës KPK, mori Mirënjohjen “Mik i Fëmijëve 2019”, të cilin e ndau Nezahat Salihu, Drejtoreshë Ekzekutive në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.

KOMF falenderon të gjithë të pranishmit, përfaqësuesit e mediave, gazetarët, partnerët dhe bashkëpunëtorët, bizneset e korporatat, të cilët vazhdimisht kanë treguar vullnetin e mirë dhe gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në emër të kauzës sonë të përbashkët, mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

No Comments

Leave a Reply