KOMF bashkë me partnerët nga institucionet, realizuan vizitën studimore në Sofie, e cila kishte qëllim kryesor njohjen me reformën e zhvilluar në Bullgari, marrjen e modeleve dhe praktikave të mira, njohjen me politikat e reja, legjislacionin e ri, sistemin e shërbimeve sociale, financimin, kontraktimin e shërbimeve sociale, edukimin e vazhdueshëm, monitorimin dhe inspektimin e shërbimeve sociale. Bullgaria ka miratuar Ligjin e ri për Shërbime Sociale në vitin 2020 dhe ka bërë ndryshime domethënëse në shërbime sociale pas miratimit të tij.
Falenderojmë shumë partnerin tonë në Sofie – Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bullgari për mikëpritjen e ngrohtë dhe organizimin e vizitës dhe të gjitha takimeve.
Në këtë vizitë morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Drejtorisë Komunale për Mirëqenie Sociale në Prishtinë, përfaqësues nga Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale Kosovë dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.
Përfaqësuesit nga Kosova patën takime me zëvëndës ministren në Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale, udhëheqësit e Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, Agjencisë për Mbështetje Sociale, Agjencisë për Kontrollin e Cilësisë së Shërbimeve Sociale, Nënkryetaren e Komunës së Sofias, Dekanen dhe profesorët e Fakultetit të Punës Sociale në Universitetin e Sofias, Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bullgari, ofrues të shërbimeve sociale nga sektori jo qeveritar në Komunën e Sofies dhe Zyrën e UNICEF në Bullgari.
Kjo vizitë u mundësua në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, i cili implementohet nga KOMF dhe financohet nga Unicef në Kosovë në partneritet me USAID Kosovë.
Recent Comments