Koalicioni i OJQ -ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, mbajti tryezën në kryeqytetin e Prishtinës për adresimin e të gjeturave dhe rekomandimeve kryesore të dala nga Karta e Vlerësimit 2023 – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve? Sipas këtij raporti, Kosova ka marrë notën 2.43 në kujdesin e përgjithshëm ndaj fëmijëve (shkalla e notimit nga 1 deri në 5).
Fjalë rasti mbajtën Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama dhe Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale Adelinë Sahiti. Raporti u prezantua nga anëtarët e KOMF, Rexhep Gojnovci nga Organizata Akti dhe Lulavere Behluli nga Save the Children Kosovë.
Të pranishëm ishin përfaqësues nga Komuna, drejtoritë komunale për arsim, mirëqenie, Qendra për Punë Sociale, shkollat, Policia e Kosovës, prokurorë për të mitur, psikologët shkollorë, dhe organizatat jo qeveritare.
Qëllimi kryesor i KOMF përmes këtij raporti është monitorimi i pavarur i shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Karta e Vlerësimit është zhvilluar nga KOMF, në kuadër të projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).
Recent Comments