1 Qershor 2021
KOMF vizitoi organizatën anëtare SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, e cila kujdeset dhe ofron shërbime cilësore për rreth 1000 fëmijë pa kujdes prindëror dhe në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror.
Gjatë vizitës në SOS u diskutua mbi veprimet e përbashkëta të mëtejshme për adresimin dhe përfshirjen e formës së mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror “Jetesa e Pavarur e Mbikëqyrur” në kuadër të Projekt Kodit Civil, e cila parasheh ofrimin e mbështetjes së fëmijëve pa kujdes prindëror edhe pas moshës 18 vjeç, derisa të rinjtë të fuqizohen dhe pavarësohen.
Aktualisht, legjislacioni në fuqi nuk parasheh shërbime apo forma të mbrojtjes për fëmijët pa kujdes prindëror pasi të mbushin moshën 18 vjeçare. Në mungesë të bazës ligjore, fëmijët pa kujdes prindëror në moshën 18 vjeçare mbesin pa strehim, pa mbështetje dhe shërbime, dhe në rastet më të rënda fëmijët pa kujdes prindëror me aftësi të kufizuara me mbushjen e moshës 18 vjeçare e në mungesë të formave të mbrojtjes, janë zhvendosur nga strehimi familjar në Institutin e Shtimes, e cila cilësohet si shumë e dëmshme për zhvillimin fizik dhe psikologjik.
Projekt Kodi Civil duhet të parashohë këtë formë të mbrojtjes në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror sipas nevojës deri në moshën 26 vjeçare, deri sa fëmija të arsimohet, fuqizohet dhe pavarësohet.
No Comments