Kosova përballet me sfida të shumta në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë. Viteve të fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar për herë të parë shifrën prej 30 000 ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.
Bazuar në bazën e të dhënave të Labyrinth, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Qendra Labyrinth mbetet organizata e vetme e licencuar në Kosovë nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e shërbimeve rehabilituese për përdoruesit e drogave fëmijë dhe të rritur.
Është shqetësues fakti që ka një rritje të përdorimit të drogave tek të rinjtë. Mosha mesatare e përdoruesve është rreth 27 vjeç, duke treguar se grup moshat më të reja janë më të prekura. Sipas Policisë së Kosovës gjatë vitit 2022, të ngarkuar me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 i Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dhe vepra penale ‘Posedimi, i paautorizuar i sub. narkotike, psikotrope ose analoge’ nga neni 269, nga grup moshat 14 – 18 vjeç ishin gjithsej 56 fëmijë, ku nga ta 55 fëmijë kanë qenë meshkuj ndërsa 1 femër, (mosha më e re e regjistruar tek përdoruesit ka qenë mosha 14 vjeç, 1 person).
Arsyet pse fëmijët fillojnë të përdorin droga janë të shumta, përfshirë disponueshmërinë e drogave në treg, traumën e fëmijërisë së hershme, mungesën e informacionit mbi rreziqet e përdorimit të drogave, presionin shoqëror dhe kureshtjen për të provuar gjëra të reja, etj.
Vendi ynë vazhdon të mos sigurojë shërbime dhe programe të strukturuara dhe të qëndrueshme parandaluese të cilat janë më se të nevojshme duke parë trendet në rritje të përdorimit të drogave nga fëmijët dhe adoleshentët. Përjashtim bën Policia e Kosovës, e cila ka programin vjetor të ligjëratave në parandalim dhe vetëdijesim të dukurive, ku është e përfshirë edhe tema lidhur me parandalimin e substancave narkotike. Kosova nuk ofron mjaftueshëm shërbime të qasshme për identifikimin e fëmijëve që janë viktima të abuzimit me narkotikë. Ka mungesë të shërbimeve dhe ekipeve mobile në komunitet që do të mundësonin testimin dhe identifikimin e rasteve të mundshme të fëmijëve që përdorin substancat narkotike.
Kosova nuk ofron shërbime të veçanta të rehabilitimit për fëmijët viktima të abuzimit me narkotikë. Shërbimet ekzistuese ofrohen në kuadër të trajtimit të të rriturve që përdorin narkotikë. Klinika Psikiatrike e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka improvizuar një repart të posaçëm për trajtimin e varësisë por ky repart është i dedikuar për pacientët e rritur, edhe pse ai trajton edhe fëmijët duke qenë se nuk ekziston asnjë objekt tjetër në dispozicion ose repart i veçantë për fëmijët. Kjo njësi nuk është e përshtatshme për fëmijët dhe nuk është mjedis miqësor dhe i sigurtë për ta. Trajtimi shëndetësor në QKUK bazohet në programet e detoksikimit ku përdoren barna nga Lista e Barnave Esenciale. Në vitin 2022, ky repart ka trajtuar 7 fëmijë përdorues nën moshën 18 vjeçare.
Në përgjithësi profesionistët ndeshen me sfida të mëdha në trajtimin e fëmijëve që janë viktima të abuzimit me droga. Ata nuk disponojnë burimet e nevojshme, duke përfshirë ekipe multidisiplinare, reparte të posaçme për fëmijë, për zbatimin e planeve dhe programeve të specializuara për rehabilitim. Profesionistët nuk kanë burimet e nevojshme për të mbështetur prindërit ose kujdestarët në trajtimin dhe mbështetjen e fëmijëve të tyre që janë viktima të abuzimit me droga.
Mangësia tjetër e sistemit ka të bëjë me mungesën e statistikave të sakta në nivel nacional mbi numrin e fëmijëve përdorues të drogave.
Rekomandime:
Recent Comments