23 Nëntor 2020
Me qëllim të zgjidhjes së problemit të financimit të shërbimeve sociale për fëmijët dhe qytetarët në nevojë, KOMF me 31 organizatat anëtare, publikon “Qëndrimin për Grantin Specifik për Shërbime Sociale”
KOMF, në vijim të kërkesave drejtuar Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen afatgjatë të financimit të shërbimeve sociale si dhe për sigurimin e një financimi të qëndrueshëm e të drejtë të këtyre shërbimeve, kërkon krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale përmes miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.
Ky Projekt Ligj ka mbetur pezull prej muajsh tashmë, dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë në drejtim të miratimit të tij. Me hyrjen në fuqi të këtij Projekt Ligji, pritet të fillojë edhe implementimi i Grantit Specifik për Shërbime Sociale, i cili do të sigurojë një minimum të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale në Kosovë.
Në anën tjetër, në vitin 2019, nga gjithsej 466.7 milionë Euro që ishte buxheti total i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesa dërrmuese është ndarë për skema dhe transfere. Ndërkohë që për shërbime sociale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë vetëm 3 milionë Euro apo vetëm 1 përqind të buxhetit të saj, shumë e cila është e pamjaftueshme për të adresuar dhe mbuluar nevojat e grupeve të cenueshme në vend.
Për më tepër, kujtojmë se gjendja aktuale e shërbimeve sociale është rënduar edhe më shumë si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë të cenueshëm kanë mbetur pa shërbime. Në mungesë të financimit, shumë prej ofruesve të shërbimeve sociale janë mbyllur ose rrezikojnë të mbyllin shërbimet e tyre.
KOMF, i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më shpejt me miratimin e Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale, me qëllim sigurimin e minimumit të financimit të shërbimeve sociale.
Qëndrimi për Grantin Specifik për Shërbime Sociale është qëndrim i përbashkët i KOMF, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Ky qëndrim është hartuar në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga European Union Kosovo dhe implementuar nga KOMF në partneritet me Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.
No Comments