1 Qershor 2021
KOMF vizitoi familjen strehuese të Shahë dhe Fahri Sinanit në Komunën e Fushë Kosovës, e cila prej vitesh përkujdeset për një fëmijë pa kujdes prindëror me aftësi të kufizuara. Gjatë kësaj vizite prindërit strehues folën mbi historinë, emocionet dhe kënaqësinë që kanë në këtë detyrë aspak të lehtë, në këtë mision të shenjtë. Përfaqësuesit e KOMF biseduan edhe me fëmijën e strehuar duke parë edhe dashurinë e madhe që vogëlushja ka për shtëpinë dhe prindërit e saj. Familja strehuese ndau po ashtu edhe sfidat e mëdha sikurse vështirësitë dhe pengesat e sistemit në regjistrimin në shkollë të rregullt të vogëlushes për shkak të aftësisë së kufizuar.
Në Kosovë janë 40 familje strehuese që strehojnë fëmijët pa kujdes prindëror dhe nuk kursejnë asgjë për të përmbushur nevojat e fëmijëve.
Familjet strehuese kanë nevojë për mbështetjen e Qeverisë dhe të komunave. Ato duhet të gëzojnë benefite sociale sikurse njohja e stazhit të punës, lirimi nga obligimet komunale dhe lirimi nga pagesat shëndetësore. Institucionet komunale duhet të angazhohen, të integrojnë shërbimet për të ndihmuar fëmijët në strehim familjar në mënyrë që tu sigurojnë qasjen në arsim, shërbime cilësore shëndetësore dhe sociale.
No Comments