11 Korrik 2020
Sot bëhet një vit nga vrasja makabre e fëmijës 9 vjeçar nga Komuna e Fushë Kosovës, i cili sipas raportit të autopsisë ishte dhunuar edhe seksualisht.
Sot bëhet një vit, dhe ende asnjë nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e jetës së fëmijës nuk kanë dhënë përgjegjësi dhe llogaridhënie për dështimin në përmbushjen e mandatit institucional për mbrojtjen e jetës së tij. Fëmija K.V. është raportuar në janar 2019 në Policinë e Kosovës për keqtrajtim seksual dhe për rastin kanë qenë të informuara të gjitha institucionet.
Të gjitha të dhënat tregojnë që përkundër faktik se fëmija ka qenë “në dorë të institucioneve të shtetit”, aty ku fëmija do të duhej të ishte i sigurt dhe i mbrojtur, këto institucione dështuan ta mbrojnë jetën e tij.
Për KOMF, mbeten skandaloze veprimet dhe shkeljet e prokurorisë lidhur me këtë rast. Prokurorët e rastit nuk kanë propozuar masën e paraburgimit, e cila përveçse do të pamundësonte ushtrimin e vazhdueshëm të abuzimit ndaj fëmijës do të ndihmonte në zbardhjen e rastit dhe mbi të gjitha do të shmangte vdekjen e fëmijës. Prokurori nuk ka kërkuar as ekzaminimin mjeko-ligjor. Për më tepër, përkundër faktit që në prill 2019 i dyshuari e ka pranuar veprën penale për dhunim të fëmijës K.V., ai është liruar në procedurë të rregullt nga prokurori, gjë e cila çoi në vrasjen makabre të fëmijës.
Menjëherë pas raportimit të vrasjes makabre, KOMF pati kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale, për të parë cili ka qenë reagimi institucional për mbrojtjen e jetës dhe integritetit të fëmijës dhe ndëshkimin e kryerësit. Për më tepër, KOMF bashkë me Çohu në korrik 2019 kanë dërguar kërkesë zyrtare tek Këshilli Prokurorial i Kosovës duke kërkuar hetim dhe llogaridhënie për veprimet e prokurorisë lidhur me rastin e fëmijës K.V. nga Fushë Kosova. Këshilli Prokurorial i Kosovës në gusht 2019 inicoi dy procedura disiplinore ndaj dy prokurorëve të rastit.
Me gjithë shkeljet e evidentuara të dy prokurorëve për rastin në fjalë, vendimi i KPK për njërin nga prokurorët e rastit ishte zbritja e pagës për një periudhë 6 mujore, përderisa për prokurorin tjetër KPK nuk ka gjetur asnjë shkelje. Ndërsa, Drejtoria për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë pushuar procedurën disiplinore ndaj punonjësve të Policisë së Kosovës për shkak se nuk janë gjetur elemente të shkeljeve disiplinore.
Duke parë që nuk kishte përgjegjësi dhe llogaridhënie për rastin, KOMF në shkurt 2020, përmes një kërkese për veprim i është drejtuar Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë, Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme, Aleksandër Lumezi – Kryeprokuror i Shtetit, Bahri Hyseni – Kryesues i Këshillit Prokurorial, Burim Berisha – Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës dhe Shpend Ahmeti – Kryetar i Komunës së Prishtinës, duke kërkuar veprime emergjente dhe llogaridhënie lidhur me këto raste.
Si Koalicion jemi të shokuar për faktin që ende nuk ka asnjë llogaridhënie dhe përgjegjësi për rastin në fjalë nga organet e mbrojtjes, rendit dhe drejtësisë. Trajtimi i këtij rasti nga shteti dhe institucionet, për KOMF mbetet i patolerueshëm dhe skandaloz.
Ne, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkojmë nga shteti:
Mbesim në pritje të veprimeve urgjente të institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me rastin.
No Comments