16 Korrik 2021
KOMF ka lëshuar një Komunikatë për Media me rastin e një vjetorit të hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës i cili është hartuar për herë të parë në Republikën e Kosovës. Pavarësisht kësaj, KOMF ka bërë me dije se gjatë këtij viti nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të garantuar zbatimin e plotë dhe efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
KOMF, ka dorëzuar tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës disa letra me shkrime nga fëmijë në nevojë për shërbime sociale, të cilët kanë paraqitur nevojat e tyre dhe kanë kërkuar reagimin e deputetëve për zbatim të këtij ligji, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së tyre dhe garantimit të një jete dinjitoze për ta.
Ky vit i ka gjetur fëmijët në një gjendje edhe më të rëndë si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila mbi të gjitha ka rënduar situatën e fëmijëve, e veçanërisht fëmijëve të cenueshëm. Shumë fëmijë kanë mbetur pa marrë shërbimet dhe mbrojtjen e nevojshme që ndihmojnë në zhvillimin e tyre. Pandemia Covid-19 ka ndikuar në rritjen e numrit të fëmijëve pa përkujdes prindëror, rritjen e dhunës në familje dhe rrjedhimisht rritjen e nevojës për shërbime sociale, për të cilat urgjentisht duhet siguruar financim i qëndrueshëm përmes krijimit të Grantit Specifik për Shërbime Sociale. Në gjendje shumë të rëndë vazhdojnë të jenë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e përfshirë në punë të rënda.
KOMF ka apeluar karshi gjithë institucioneve përkatëse, për reagim dhe zbatim të menjëhershëm dhe tërësor të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Vonesa të tilla në zbatim të legjislacionit që mbron fëmijët në Kosovë, rrezikojnë mirëqenien dhe përkeqësojnë edhe më tej gjendjen e fëmijëve e sidomos atyre të cenueshëm.
No Comments