Qëllimi i fushatës është promovimi i rolit dhe rëndësisë së punëtorit social dhe shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë. Roli i punëtorit social në Kosovë është i një rëndësie të madhe për mirëqenien e qytetarëve të cenueshëm, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.
Në kuadrin e shërbimeve sociale të ofruara përmes institucioneve publike dhe organizatave jo qeveritare, punëtorët social luajnë rol të shumëfishtë për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve. Punëtorët social ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për fëmijët, familjet dhe qytetarët në nevojë, lehtësojnë qasjen në shërbime, veprojnë si ndërmjetës midis qytetarëve dhe shërbimeve sociale në dispozicion.
Në hapje të fushatës u shfaq një video vetëdijesuese, e cila paraqet rëndësinë e punëtorëve social për fëmijët dhe familjet e cenueshme. Gjatë ceremonisë së hapjes së fushatës, fjalë rasti patën: Donjeta Kelmendi, Drejtor Ekzekutiv në KOMF, Vlora Limani Hajnuni, Këshilltare Politike e Ministres së Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë , Nona Zicherman, Unicef Kosovo Programme, Anna Toness, Drejtor i Programeve dhe Politikave nga USAID Kosovo, Blerim Shabani, Kryetar i Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale Kosovë dhe Sebahate Beqiri, Anëtare e Bordit Drejtues të KOMF.
Kjo fushatë mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetur nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID në Kosovë.
Recent Comments