1 Qershor 2021
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershorit, KOMF mbajti konferencë për media përpara objektit të Qeverisë të Republikës së Kosovës, ku paraqiti faktet rreth situatës së fëmijëve në Kosovë, prezantoi kërkesat dhe bëri thirrje emergjente që Kryeministri dhe Qeveria t’i adresojë ato.
Viti 2020 konsiderohet viti më i rëndë në 20 vitet e fundit sa i përket mirëqenies sociale në Kosovë. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19, e cila ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e fëmijëve në Kosovë, e sidomos atë të fëmijëve të cenueshëm. Periudha e zgjatur e izolimit dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve, rritjen e numrit të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe përkeqësimin e gjendjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara. Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përgjithësi në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve, prandaj mbështetja e tyre është e domosdoshme.
KOMF ndau disa fakte rreth gjendjes së fëmijëve në Kosovë:
• 𝟐𝟐.𝟖% e fëmijëve jetojnë në varfëri përderisa 𝟕.𝟐% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.
• 𝟕𝟐% e fëmijëve raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik).
• 𝟓% e fëmijëve janë të përfshirë në punë.
• Vetëm 𝟏𝟓% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme.
• “PISA” ka radhitur Kosovën në vendin e 𝟕𝟔, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim.
• Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. 𝟒𝟎% të shpenzimeve për shërbime shëndetësore paguhen nga xhepi i qytetarëve. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve.
• Vetëm 𝟑𝟖% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht.
• Vetëm 𝟏% e buxhetit total të buxhetit qendror ndahet për shërbime sociale. Ofruesit e shërbimeve sociale për mbrojtjen e fëmijëve në vazhdimësi rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mungesës së financimit të qëndrueshëm.
• 𝟖% e fëmijëve të moshës 7-12 vjeç, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë dhe vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale. Nga 43.000 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 𝟓,𝟑𝟎𝟎 vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë.
No Comments